×

Tirana 10.0

Tirana 10.0 – pilotim i një eventi të përvitshëm me çmime për inovacionin!

Organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Teknologjisë së Informacionit, Inovacionit dhe të Dhënave, “Tirana 10.0” mblodhi rreth 70 të rinj dhe përfaqësues start-up dhe biznesesh me një qëllim të vetëm: ndarjen e ideve inovatore për Tiranën e pas 10-viteve.

Eventi u realizua me mbështetjen e Communication Progress, Dev, BNT Electronics, Easy Pay, Gjelbër, Pastiçeri Reka dhe Toka Fermentary.

Në këtë event u prezantuan 5 ide të cilat ishin përzgjedhur mes 30 ideve të aplikuara më parë në një thirrje të hapur të Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit, Inovacionit dhe të Dhënave, Bashkia Tiranë.

Idetë e prezantuara:

  • Daniel Dani – është një djalë 15 vjeçar i cili ka ndërtuar një kosh mbeturinash smart. Sipas tij, ky kosh do të ndihmojë qytetin e Tiranës në mirëmenaxhimin e mbeturinave dhe do të bëjë të mundur ndarjen automatike të tyre.

  • Jimena Lujan – një vajzë nga Kolumbia e cila prej pesë vitesh banon dhe ushtron profesionin e saj në Tiranë. Ajo ka filluar punën për implementimin e një platforme me synimin për të sjellë jo vetëm ndërgjegjësimin, por edhe sigurimin e mjeteve për këdo pavarësisht nga mosha, prejardhja ose përvoja e tyre për të përballuar stresin, ankthin, komunikimin dhe çdo mjet shtesë që mund të përmirësojë dhe rrisë cilësinë e jetës së qytetarëve.

  • Edel Gjoni bashkë me grupin e tij TTracker – prezantuan idenë e tyre për të lehtësuar transportin publik. Tracker është një aplikacion shumë-funksional i cili do të përmbajë udhëzime për autobuzat, taksitë si dhe metrotë në një të ardhme. Çdo linjë transporti ka kategorinë e vet në ndërfaqen e aplikacionit, duke e bërë më të thjeshtë lëvizjen e qytetarëve.

  • Alvin Pogoni prezantoi idenë e tij e cila konsistonte në organizimin e lojrave argëtuese që do të kenë në thelb mbajtjen pastër të ambientit. Në këtë mënyrë, të rinjtë do të mund të dalin nga monotonia e ditëve të zakonshme, duke iu drejtuar një jete më të bukur e më sociale.

  • Arjola Breshanaj, përfaqësuese e ARRA, një agjenci kërkimi dhe rekrutimi në Shqipëri prezantoi idenë e saj e cila konsistonte në trajnime për zhvillim personal e gjitha e dedikuar për të rinjtë.

Këto ide të përzgjedhura fituan dhe dhurata simbolike të ofruara nga mbështetësit e eventit.

Alvin Pogoni ishte i përzgjedhuri i Marin Nikollit i cili i ofroi një internship pranë kompanisë së tij. Edel Gjoni nga TTtracker dhe Jimena Lujan fituan nga një tablet nga kompania BNT electronics. Daniel Dani ishte i përzgjedhuri i 2 prej mbështetësve tanë. Ai fitoi një laptop nga kompania Dev.al gjithashtu dhe një tabletë e një internship nga Easy Pay. ‘Çmimi i Rinisë’ nga kopmania dev.al ishte në vlerën monetare prej 1000 euro dhe fituese e këtij çmimi ishte Arjola Breshanaj.

Ju mirëpresim në evente të tjera!