×

Të gjithë po flasin për të! Aplikacioni më i ri, Clubhouse

I ngjashëm me një bisedë në radio, me një konferencë në Zoom, me një podcast, Clubhouse është shumë gjëra në një aplikacion të vetëm.

Clubhouse është një rrjet social i bazuar te bisedat audio. Përdoruesit mund të dëgjojnë biseda, intervista dhe diskutime të tjera mes njerëzve për tema të ndryshme – është njësoj si një podcast, por live dhe me një dozë të shtuar ekskluziviteti.

Clubhouse është invite-only, që do të thotë se nuk mundeni thjesht ta shkarkoni dhe të krijoni llogarinë tuaj. Pasi të plotësoni të dhënat, duhet që një anëtar ekzistues t’ju ftojë. Njësoj si në jetën reale – ti nuk shkon, po themi, në një festë nëse dikush nuk të fton.

Pasi i bashkoheni Clubhouse, ju zgjidhni temat që ju interesojnë: teknologji, libra, biznes, shëndetësi, muzikë etj. Sa shumë informacion të jepni për interesat tuaja, aq më shumë “dhoma bisedash” private do t’ju rekomandojë aplikacioni.

Bisedat janë si salla konference, ku disa flasin dhe shumica dëgjojnë. Pasi mbaron biseda, “dhoma” mbyllet. Bisedat nuk regjistrohen, të paktën nga vetë aplikacioni, pasi përdoruesit mund të gjejnë mënyra t’i regjistrojnë. Aplikacioni nuk e ndalon regjistrimin.

Në Clubhouse nuk ka foto dhe video – përdoruesit kanë vetëm një foto profili dhe kaq. Emri (teorikisht) duhet të jetë ai i vërteti. Për momentin është i disponueshëm vetëm në iOS, por së shpejti do të lançohet edhe në Android.

Clubhouse, i cili është më i njohur tani, u lançua në mars të vitit 2020 në SHBA. Asokohe u përfol për vetë ekskluzivitetin; ishte si të anëtarësoheshe në një klub në botën reale. Në maj, Clubhouse kishte vetëm 1,500 përdorues dhe vlente 100 milionë dollarë.

Së fundmi, “shpërtheu” në internet kur Elon Musk – sepse kush tjetër përveç tij – organizoi një bisedë me drejtorin ekzekutiv të Robinhood, Vlad Tenev. Biseda u transmetua drejtpërdrejt në YouTube.

Kaq u desh dhe aplikacioni u ngrit në krye të listave të aplikacioneve më të shkarkuar. Që prej 1 shkurtit, Clubhouse ka më shumë se 2 milionë përdorues. Në Kinë për shembull, faqet e-commerce po u japin përdoruesve mundësinë për të blerë ftesa për në Clubhouse. Kodet e ftesave shiten për 150-400 juanë (2,300 – 6,300 lekë).

Ashtu si AirBnb, Uber dhe SpaceX, Clubhouse konsiderohet “unicorn startup” (startup njëbrirësh; startup – një kompani fillestare e themeluar nga një ose më shumë sipërmarrës për të zhvilluar një produkt ose shërbim të ri) për shkak se tashmë vlen $1 miliard.

Burimi: PCMag, Guardian