Pas vitesh të tëra punë për ekosistemin e startup-eve, më në fund edhe në hapësirën ligjore shqiptare, do të kemi një ligj të veçantë për mbështetjen e startup-eve.

Krijimi i një startup-i mund të jetë proces kaotik e ndonjëherë ky kaos nxit inovacionin. Por kaosi ligjor i shkund startup-et që në themelimin e tyre duke “trembur” themeluesit e kjo bën që inovacioni të ngadalësohet.

Një nga hapat infrastrukturorë ligjorë për të ndihmuar ekosistemin është ndërmarrja e hartimit të një projektligji për startup-et inovative i cili ka kaluar tashmë edhe në parlament. Ky projektligj, praktikisht është hartuar së bashku me inpute nga aktorët e ekosistemit duke u përpjekur të reflektojnë në letër të gjitha nevojat e tyre konkrete, qofshin ato për të patur në dispozicion një ambient ku mund të zhvillojnë idetë apo edhe për t’u njohur me mundësitë e financimit dhe se si një ide mund të kthehet në një biznes. Andaj do të jetë një mekanizëm i mirëkonceptuar ligjor dhe administrativ, se si shteti mund realisht t’i vijë në ndihmë kujdo që ka një ide të re, një ide që sjell risi dhe një ide që e bën shoqërinë tonë më të mirë.

Fakti që nisma ligjore shumëdimensionale po ndërmerren është lajm shumë i mirë për të gjithë ekosistemin. Të gjithë personat fizikë dhe juridikë në Shqipëri por dhe në botë, që dëshirojnë të provojnë idenë e tyre të biznesit do të mund të vetëdeklarohen në e-Albania. Do të ketë një regjistër të posaçëm për startup-et dhe lehtësuesit(inkubatorët).

LEHTËSUESIT JANË INSTITUCIONE QË OFROJNË SHËRBIME PËR STARTUP-ET, SIÇ JANË INKUBATORËT, AKSELERATORËT, UNIVERSITETET ETJ.

Nga momenti i regjistrimit në këtë regjistër të posaçëm, startup-et do të kenë një periudhë 24-mujore, që sipas ligjit quhet periudha e inkubimit. Gjatë kësaj periudhe, ata do mund të marrin këshillim pranë një ‘one stop shop’, i cili do të krijohet pranë Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Regjistrimi dhe marrja e shërbimeve do të jetë pa pagesë. I gjithë procesi i regjistrimit dhe aplikimit për grante do të jetë online dhe pa kontakt fizik.

Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishmi, por nuk është i vetmi, pasi do të vijojë. Do të ketë miliona euro mbështetje, duke nisur nga viti 2022 si vit pilot.