×

Open Data Tirana

Në momente të rëndësishme marrjeje vendimesh kemi nevojë për të dhëna me cilësi të mirë, të besueshme dhe relevante dhe përdorim të mirë të tyre për të na ndihmuar në vendime të drejta.  Mospërdorimi i evidencave në marrjen e vendimeve është po aq e gabuar sa përdorimi i keq i numrave, keqinterpretim i statistikave dhe një shpërfillje e të kuptuarit të shifrave që përdorni. Sigurisht ndodh që vendimet merren edhe mbi bazën e emocioneve dhe besimeve, por patjetër duhen bazuar dhe tek shkenca.

Kushdo që interesohet për çfarë ndodh rreth tyre dhe dëshiron që të ketë sukses si individ apo në komunitet duhet të njohë dhe të kuptojë çfarë ndodh rreth tij, në shtetin, qytetin apo lagjen ku jeton. Nëse nuk e dimë se çfarë po ndodh tani, nëse nuk analizojmë se çfarë funksionon, nëse nuk përqendrojmë vëmendjen në ato që kanë rëndësi, nuk ka gjasa të shfrytëzojmë sa më shumë mundësitë që na jepen.

Bashkia e Tiranës ka qënë gjithmonë e vetëdijshme për rëndësinë e statistikave në dy aspekte, si prodhuese e tyre dhe njëheresh si përdoruese.  Për këtë arsye ka mundësuar krijimin e një platforme, opendata.tirana.al, ku çdo qytetar i interesuar, çdo biznes, organizatë apo institucion mund të gjejë të dhëna për qytetin dhe njësitë administrative.

Tirana u bë qyteti i parë në Shqipëri, prej Prillit 2017, me një bazë të dhënash për punët publike dhe shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës, në funksion të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve, por edhe menaxhimit më të mirë të kohës dhe parave të taksapaguesve. Platforma ka informacione nga 15 institucione të organizuara në 16 kategori. Frekuenca e të dhënave ndryshon nga të dhëna me baza vjetore tek të dhëna me baza ditore.  Pjesa më  e madhe e të dhënave të mbledhura janë prej vitit 2016 dhe në vazhdim, për mungesën e të dhënave para kësaj periudhe. Analiza dhe paraqitja grafike e të dhënave është bërë në formën e lajmeve (datastory) dhe tablove statistikore (Dashboard-e). Për të ndihmuar përdoruesin në interpretimin e të dhënave janë vendosur nota shpjeguese në çdo tabelë dhe një informacion i përmbledhur për frekuencën, ofruesin e statistikës, datën e parë të publikimit dhe datën e fundit të përditësimit etj. Gjithashtu ditarët e ndryshëm të publikuara nga stafi i statikave ndihmojnë përdoruesin për të njohur më mire aspektet teorike të shifrave të publikuara.

Bazuar në konceptin e opendata-ës, të dhënat janë:

  • lehtësisht tё aksesueshme;
  • të disponueshme pёr tё gjithё, pa asnjё kёrkesё pёr regjistrim, pa burokraci ose humbje kohe;
  • tё disponueshme pa kufizim license;
  • tё plota dhe autentike;
  • nё nivelin mё tё detajuar tё mundshёm, jo nё forma tё pёrmbledhura ose tё modifikuara;
  • tё pёrpunueshme në platformë (p.sh. paraqitje grafike).

Në të njëjtën kohë jemi angazhuar në rëndësinë e paraqitjes së të dhënave në mënyrë efektive që ato të kuptohen, pranohen dhe përdoren nga të gjithë.

Nëse jeni të interesuar të dini informacione për çdo njësi administrative, linjat e autobusave publike dhe itinerarin e tyre, si ndryshoi popullsia e Tiranës për vitin 2019, sa është numri i automjeteve, kush janë burimet e financimit dhe si janë shpenzimet,  si ka ndryshuar numri i bizneseve apo si shpërndahen bizneset sipas madhësisë, gjinisë, aktivitetit, pronësisë apo formës  legale, si është situate e Covid në vend dhe Tiranë, si u menaxhua situata e Covid nga bashkia, hartat e njësive administrative (geojson), hartat e vendodhjes së institucioneve arsimore(geojson) dhe shumë informacione të tjera, do ju luteshim të vizitoni faqen e platformës statistikore\ të Bashkisë Tiranë, opendata.tirana.al.

Portali ka informacione për 16 kategori të dhënash:

  1. Demografinë (Popullsia) (10 tabela me të dhëna dhe 6 analiza)
  2. Mjedisin (32 tabela me të dhëna dhe 2 analiza)
  3. Transportin (22 tabela me të dhëna dhe 4 analiza)
  4. Shërbimet sociale (10 tabela me të dhëna dhe 2 analiza)
  5. Zhvillimin e territorit (5 tabela me të dhëna dhe 3 analiza)
  6. Arsimin (22 tabela me të dhëna dhe 3 analiza)
  7. Financat dhe Buxhetin (6 tabela me të dhëna dhe 3 analiza)
  8. Biznesin dhe Licensimin (17 tabela me të dhëna dhe 7 analiza)
  9. Sigurinë Publike (18 tabela me të dhëna dhe 1 analizë)
  10. Zhvillimin Rural (12 tabela me të dhëna dhe 2 analiza)
  11. Ujësjellës-Kanalizimet (6 tabela me të dhëna dhe 2 analiza)
  12. Infrastrukturën (21 tabela me të dhëna)
  13. Turizmin dhe Kulturën (9 tabela me të dhëna dhe 2 analiza)
  14. Transparencën (11 tabela me të dhëna dhe 4 analiza)
  15. Administratën (14 tabela me të dhëna dhe 2 analiza)
  16. Censusin (4 tabela me të dhëna dhe 3 analiza)

Ofruesit e të dhënave:

  1. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit (11 tabela me të dhëna)
  2. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ( 7 tabela me të dhëna)
  3. Agjencia Tirana Parking (13 tabela me të dhëna)
  4. Bashkia Tiranë (75 tabela me të dhëna)
  5. Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve (19 tabela me të dhëna)
  6. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (10 tabela me të dhëna)
  7. Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike (4 tabela me të dhëna)
  8. Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit (12 tabela me të dhëna)
  9. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik (7 tabela me të dhëna)
  10. Drejtoria Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (10 tabela me të dhëna)
  11. Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit (2 tabela me të dhëna)
  12. Instituti i Statistikave (19 tabela me të dhëna)
  13. Mbrojtja nga Zjarri dhe Shpëtimi (3 tabela me të dhëna)
  14. Policia Bashkiake Tiranë (13 tabela me të dhëna)
  15. Ujësjellës Kanalizime Tiranë (6 tabela me të dhëna)