×

Oksigjen i pastër në Mars!

Rover Perseverance i NASA-s ka prodhuar oksigjen të pastër në Mars!

Demonstrimi i misionit #MOXIE tregon se është i mundur shndërrimi i atmosferës së pasur me dioksid karboni të Marsit në oksigjen të përdorshëm për astronautët.

Rover Perseverance i NASA-s ka gjeneruar me sukses oksigjen të pastër në Mars. Demonstrimi i kryer nga instrumenti MOXIE i roverit në 20 Prill, mund të hedhë bazat për të ndihmuar astronautët e ardhshëm të krijojnë një koloni të qëndrueshme në planet.

 

Çfarë është MOXIE dhe si funksionon? MOXIE, versioni i shkurtër i “Mars Oxygen In-Situ Resource Utilization Experiment”, është një pajisje me madhësinë e një makinerie tosti që mund të shndërrojë dioksidin e karbonit në oksigjen përmes një procesi të quajtur elektrolizë e oksidit të ngurtë. Ajri marsian thithet nga pajisja përmes një filtri dhe një pompë mekanike e ngjesh atë në kushte të ngjashme me Tokën, duke e përcjellë dioksidin e karbonit në sistemin e elektrolizës. Gazi ndahet në oksigjen dhe monoksid karboni dhe MOXIE izolon oksigjenin në një dhomë tjetër, ku jonet e oksigjenit rikombinohen. Në momentin që lirohet monoksidi i karbonit, mbetet oksigjeni.

 

Si shkoi prova? U gjeneruan rreth 5.4 gram oksigjen në një orë, që është afërsisht 10 minuta ajër për frymëmarrjen e një qenie njerëzore. Gjetjet paraprake tregojnë se gazi që rezulton është gati 100% oksigjen i pastër. MOXIE u krijua për të prodhuar rreth 12 gram oksigjen çdo orë (afërsisht e njëjtë me atë që prodhon një pemë e madhe në Tokë).

Astronautët e ardhshëm do të kenë nevojë për oksigjen për të marrë frymë dhe për të jetuar, por oksigjeni është gjithashtu një përbërës kritik i karburantit të raketave. Një lëshim i vetëm rakete nga sipërfaqja e Marsit që mbart katër astronautë mund të kërkojë rreth 25 tonë metrikë oksigjen. Atmosfera marsiane përbëhet nga 95-96% dioksid karboni, kështu që ekziston një burim i bollshëm potencial për këtë oksigjen, thjesht duhet teknologjia e duhur për ta gjeneruar. MOXIE nuk është në gjendje të përmbushë këto nevoja, por do të hedhë bazat për instrumente më të mëdha konvertimi.

 

Çfarë pritet më tej? Do të zhvillohen të paktën nëntë teste të tjera gjatë dy viteve të ardhshme. Raundi i parë i testeve që po ekzekuton aktualisht MOXIE pritet të vërtetojnë që pajisja funksionon vërtet. Faza e dytë do të drejtojë procesin në lloje të ndryshme të kushteve atmosferike dhe gjatë kohërave dhe stinëve të ndryshme të Marsit. Dhe faza e tretë do të përpiqet ta shtyjë MOXIE deri në kufijtë e tij.

 

Burimi : https://www.technologyreview.com/2021/04/22/1023404/mars-perseverance-rover-moxie-oxygen/