×

Një makinë që pastron ajrin nga ndotja

Një makinë e dizenjuar për të pastruar ajrin nga ndotja teksa ecën është ekspozuar në Festivalin e Shpejtësisë ‘Goodwood’.

Krijuar nga dizenjuesi Britanik Thomas Heatherwick, shpresohet që ‘Airo’(emri i makinës) të prodhohet në Kinë në 2023, me planet për t’u prodhuar miliona të tilla.

Krijuesi i saj ka për qëllim të adresojë jo vetëm problemin e ndotjes, por gjithashtu të ndihmojë në zgjidhjen e “krizës për hapësirë”.

Makina, e cila u ekspozua për herë të parë në sallën e makinave në Shanghai në Prill, ka një strehë të madhe prej xhami ndërsa interieri është dizenjuar të duket si një dhomë, me karrige të lëvizshme të cilat mund të shndërrohen në shtretër dhe një tavolinë qendrore që të funksionojë si vend për konsumin e vakteve apo organizimin e mbledhjeve.

Kjo makinë ka për qëllim të mbledhë një sasi ndotjeje sa një top tenisi në vit. Mund të duket shumë pak, por mendojeni një top tenisi brenda mushkërive tuaja! Për më tepër që nuk do të jetë vetëm një, por mijëra makina të tilla vetëm në Kinë të cilat do të ndihmojnë në filtrimin e ajrit.

Skeptikët nga ana tjetër ende nuk janë të bindur për funksionalitetin apo produktivitetin e kësaj makine, pasi sasia e ndotjes që makina mendohet të mbledhë është një sasi pothuajse e pakonsiderueshme.

Ideja e dytë kryesore që qëndron pas dizajnit të kësaj makine është hapësira. Duke marrë parasysh hapësirën që na është dashur të kemi për shkak të Covid-19 ky normalitet i ri u bë për ne një nevojë për distancë.

Inspirimi për këtë lloj hapësire në një makinë vjen nga vendet e klasit të parë në avionë, të cilat të japin mundësinë të bësh çdo gjë.

Makina mendohet të kushtojë rreth 40,000£ , ç’ka shihet si një çmim i arsyeshëm.