×

Një bluzë inteligjente! Ja se si teknologjia do të ndryshojë edhe botën e tekstilës…

Nextiles, një kompani tekstile e mbështetur nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës, dëshiron të implementojë në veshje një teknologji të ngjashme me FitBit. Kjo është ndër përpjekjet më të fundit nga një listë e gjatë për të revolucionarizuar veshjet që ne përdorim.

Nextiles me seli në Brooklyn kanë publikuar “smart fabric” të patentuar, një material që do të bëjë të mundur kapjen e të dhënave biometrike.

Pjesa e parë e planit të teknologjisë së kompanisë është vendosur në veshje sportive. Ideja është t’u mundësojë atletëve të masin shpejtësinë, forcën, vrullin dhe parametra të tjerë që nuk mund t’i marrin nga byzylykët e dorës apo orat inteligjente të sotme.

Vizioni më i gjerë është që pëlhura e përparuar të rrjedh deri tek konsumatorët e tregut masiv për të kontrolluar rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjen përmes veshjeve të cilat do të duken njëlloj si veshjen që përdorim tani.

“I gjithë qëllimi im ishte të bëja veshjet tuaja të përditshme një mjet inteligjent”,- shprehet George Sun, shefi ekzekutiv i Nextiles. “Në vend që të lidhim një çip kompjuteri në trupin tuaj, ne mund t’i qepim këto qarqe direkt në mëngë, këmishë dhe pantallona.”

Oferta e parë e kompanisë është një mëngë dhe një pjesë këmbe, e krijuar për të matur ndryshimet mekanike nga pikat e shumta të të dhënave në veshje. Informacioni mund të përdoret për të parashikuar dhe parandaluar dëmtimet dhe tendosjet.

Nextiles nuk është i pari që ëndërron diçka  të tillë. Linja e produkteve të përfaqëson qasjen më të fundit në një det idesh për të revolucionarizuar tekstilet.

Në shkurt, Apple patentoi “butona të bazuar në pëlhurë”, butona inteligjentë që mund të shkaktojnë kontrolle në Apple Watch, iPhone dhe MacBooks. Në vitin 2018, Samsung patentoi planet për një bluzë “veshje inteligjente” që ndryshon ngjyrat sipas kërkesës. Edhe Google nisi ndarjen e saj të modelit inteligjentë të projektit Jacquard në 2015.

Dy vjet më vonë, Project Jacquard bashkëpunoi me Levi’s në një xhaketë dhe aplikacion përkatës në mënyrë që të mund të përdorni rrobat për t’iu përgjigjur thirrjeve. Xhaketa u prit me vlerësime të ndryshme. Megjithatë, gjiganti i kërkimit vazhdon të punojë me marka të ndryshme. Vitin e kaluar, ai u bashkua me Adidas për krijimin e një copëze inteligjente për lojtarët e futbollit që kërkonin të matnin goditjet, fuqinë e gjuajtjes, distancën dhe shpejtësinë. Ndërkohë, disa laboratorë kërkimi kërkojnë t’i shtyjnë gjërat edhe më tej.

Po sikur këmisha juaj të kuptonte se po djersitni dhe të rregullonte temperaturën e saj? Ose nëse pantallonat tuaja mund të vërejnë se hapi juaj ka ndryshuar dhe t’ju paralajmërojë në mënyrë që të mos lëndoheni? Studiuesit e tekstilit thonë se kjo është ajo që pritet në të ardhmen. Mund të duhen vite, ndoshta edhe dekada, që teknologjia të arrijë tek konsumatorët, por themeli po vendoset sot me shkencëtarë që krijojnë copëza pëlhure që zgjerojnë kufijtë e asaj që ka qenë e mundur më parë.

Në mars, studiuesit nga Universiteti Fudan i Kinës publikuan gjetjet mbi pëlhurën elektronike të aftë për të kthyer veshjet në një ekran. Ata shpresojnë ta drejtojnë vëmendjen e tyre drejt tregut të konsumit në vijim, sipas Qibing Pei, një shkencëtar i tekstileve në Universitetin e Kalifornisë, Los Angeles i cili ishte bashkëautor i studimit.

Në vitin 2019, shkencëtarët nga Universiteti i Maryland shpikën një pëlhurë të aftë për të ngrohur një person kur ka ftohtë dhe t’i ftohin kur ndjejnë të nxehtë.

Studiuesit në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts kanë punuar për të shpalosur të ardhmen e tekstileve për vite me radhë, duke krijuar mënyra për të krijuar bateritë, mikrofonët dhe gjysmëpërçuesit në miniaturë e për t’i bashkuar ato në një fije të vetme pëlhure.

 

Qasja e Nextiles ndaj veshjeve inteligjente është që të përdorin fije që mund të lahen në makineri larëse.

Startup-i, i themeluar në 2018, mbledh fije nga pëlhura të tilla si pambuku, poliesteri dhe materiale elastike e më pas i vesh ato me një material përçues, tipikisht çelik inox, për të mbledhur të dhëna. Pasi të jenë bashkuar me polimerët përçues, fibrat veprojnë si kabllo dhe janë të afta të transmetojnë sinjale. Kompania më pas i thur fijet në pëlhurë, duke përdorur teknikat e qepjes.

Firma thotë që pëlhurat e saj janë të ndjeshme ndaj çdo lëvizjeje. Ajo u shet produkte atletëve për të matur sesi fijet dhe pëlhura përkulen, shtrihen dhe përdridhen rreth trupit gjatë kryerjes së aktivitetit fizik, gjë që ndihmon startup-in të nxjerrë metrika të vështira për t’u parë me sy të lirë.

Prodhuesit e automjeteve mund të përdorin pëlhurat në sediljet e makinave për të shtuar bashkëveprimet njerëz-automjete, ose në goma për të ndjerë ndryshimet në trotuar. Ndonëse ka shumë ide se si pëlhura inovative mund të ndryshojnë botën, duhet të kalojë pak kohë përpara se konsumatorët të blejnë ndonjë gjë më komplekse sesa rrobat e afta për të matur performancën njerëzore ose për të kontrolluar volumin e smartphone-it.

Nextiles parashikon një model të ardhshëm abonimi, ku njerëzit paguajnë çdo muaj për aksesin në të dhënat që gjenerohen nga pëlhura inteligjente. Kompania ka një dyqan qepjeje dhe ekip projektimi në qytetin e New York-ut për të ndërtuar disa produkte brenda shtëpisë.