Para pandemisë, Ka Tim Chu, mësues dhe nëndrejtor i kolegjit “True Light” të Hong Kongut, përpiqej të lexonte fytyrat e nxënësve në klasë, teksa ata përgjigjeshin. Tani, teknologjia po e ndihmon Chu-në “ta lexojë vërtet” klasën: Një platformë mësimore e mbështetur në inteligjencën artificiale monitoron emocionet e studentëve të tij, ndërsa ata studiojnë në shtëpi.

Softueri, “4 Little Trees”, u krijua nga startup-i me bazë në Hong Kong, “Find Solution AI”. Ndërsa përdorimi i inteligjencës artificiale për njohjen e emocioneve në shkolla dhe ambiente të tjera ka shkaktuar shqetësim dhe debat, themeluesja Viola Lam thotë se kjo mund ta bëjë klasën virtuale po aq të mirë – ndoshta dhe më të mirë – se klasat reale.

Studentët punojnë në teste dhe detyra shtëpie në platformë si pjesë e kurrikulës shkollore. Ndërsa studiojnë, inteligjenca artificiale mat pikat e muskujve në fytyrat e tyre përmes kamerës në kompjuterin ose tabletin e secilit dhe identifikon emocionet, përfshirë lumturinë, trishtimin, zemërimin, befasinë dhe frikën.

Sistemi gjithashtu monitoron se sa kohë u duhet studentëve për t’iu përgjigjur pyetjeve, regjistron notat dhe historinë e performancës së tyre, gjeneron raporte mbi pikat e forta, të dobëta dhe nivelet e motivimit të tyre, si dhe parashikon notat e tyre. Programi mund të përshtatet me secilin student, duke synuar boshllëqet e njohurive dhe duke ofruar teste në formën e lojërave, të dizenjuara për ta bërë mësimin argëtues.

Sipas Lam, nxënësit dalin 10% më mirë në provime nëse përdorin “4 Little Trees”. Ajo e finalizoi programin në vitin 2017, me një financim prej 5 milionë dollarësh. Numri i shkollave që përdorin “4 Little Trees” në Hong Kong është rritur nga 34 në 83, gjatë vitit të kaluar. Çmimet variojnë nga 10 deri në 49 dollarë për student për lëndë. Lam thotë se teknologjia ka qenë veçanërisht e dobishme për mësuesit gjatë pandemisë sepse i lejon ata të monitorojnë nga larg emocionet e studentëve të tyre ndërsa mësojnë.

Rreth një inteligjence artificiale që identifikon emocionet e fytyrës, sigurisht që do të ketë polemika lidhur me çështjet e privatësisë. Megjithatë, Lam thotë se programi regjistron vetëm të dhënat e muskujve dhe nuk ruan fytyrat e studentëve.

Ekspertët e fushës në Hong Kong, thonë se “transparenca” është thelbësore për ruajtjen e privatësisë së studentëve dhe se “përpara përdorimit të çdo lloj programi të tillë duhet të merret pëlqimi i prindërve”.

Një tjetër çështje problematike është edhe paragjykimi me bazë racën. Hulumtimet tregojnë se disa teknologji të analizës emocionale kanë probleme në identifikimin e emocioneve të fytyrave me lëkurë të errët. Për këtë, Lam thotë se ajo e ka trajnuar inteligjencën artificiale me të dhënat e fytyrës që përputhen me demografinë e studentëve.

Ndërsa AI përmirësohet, Lam shpreson të zhvillojë aplikacione për bizneset, si dhe shkollat, për të kuptuar më mirë nevojat e pjesëmarrësve dhe për të rritur angazhimin në takime online dhe webinar.

Kur bëhet fjalë për komunikimin njerëzor, AI “mund të ndihmojë për të lehtësuar një ndërveprim më të mirë”, thotë ai.

Burimi: CNN