×

Nanoteknologjia vjen në Tiranë

Në Shqipëri do të mbahet për herë të parë Konferenca Ndërkombëtare e Trendeve në Nanoteknologji (TNT2021). Ky është edicioni i 21-të i këtij eventi madhor i cili organizohet nga “Phantoms Foundation” (Spanjë) dhe këtë herë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Institutin NanoAlb të ngritur pranë saj, me mbështetjen e Qeverisë dhe Institucioneve Shqiptare si dhe të Ambasadës Spanjolle në Tiranë.

“TNT2021” do të jetë vazhdim i suksesit të konferencave të mëparshme të nanoteknologjisë dhe do të zhvillohet këtë vit në Tiranë nga 4 deri më 8 Tetor 2021 (http://tntconf.org/2021/index.php?conf=21). Ky takim shkencor i nivelit më të lartë në këtë fushë synon të paraqesë një gamë të gjerë kërkimesh aktuale në fushën e nanoshkencës dhe nanoteknologjisë me synim transmetimin e informacionit dhe vendosjen e kontakteve midis kërkuesve shkencorë në këtë fushë.

Me rastin e “TNT2021” do të organizohen disa sesione specifike me tema të rëndësishme sikurse janë “Grafeni dhe materialet e tjera dydimensionale” si dhe një shkollë në fushën e nanosensorëve me interes të veçantë për kërkuesit e rinj shkencorë.

Ky kongres, ndër më prestigjiozet në botë, është një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e shkencës në Shqipëri. “TNT2021” ka mbështetje nga një numër i madh institucionesh prestigjioze të nanoteknologjisë në botë. Ardhja me këtë rast në Tiranë e kërkuesve shkencorë më të shquar në këtë fushë do t’i hapë mundësi të reja bashkëpunimi Shqipërisë në një nga fushat më të përparuara të shkencës.

 

 

Çfarë është nanoshkenca, nanoteknologjia dhe qëllimi i NanoAlb?

Nanoshkenca dhe Nanoteknologjia janë shkenca dhe teknologjia e shekullit. Nanoshkenca është një shkencë që studion nanomaterialet (materialet në dimensione mjaft të vogla; 1 nano është një e bilionta pjesë e metrit) ndërsa nanoteknologjia është teknologjia që bën të mundur përftimin e nanomaterialeve dhe mundëson aplikimin e tyre në fusha nga më të ndryshmet. Nanomaterialet si p.sh. nanogrimcat, nanotubat apo grafeni kanë veti mjaft interesante optike, elektrike etj.

Këto materiale apo pajisjet e ndërtuara mbi bazën e tyre kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për aplikime në shumë fusha. Aplikimet e nanoteknologjisë shkojnë nga diagnostikimi dhe shërimi i sëmundjeve, monitorimi i ndotësve të mjedisit, përgatitja e pajisjeve të reja me rëndësi për energjinë e deri te përftimi i materialeve të avancuara me interes për shumë fusha, si dhe me interes të jashtëzakonshëm për kërkimin shkencor dhe transferimin teknologjik dhe industrial në Shqipëri sikurse sot edhe në të gjithë botën.

Nanoteknologjia është një shkencë mjaft interesante edhe për natyrën e saj multidisiplinare duke përfshirë fusha të njohura si kimia, biologjia, fizika, elektronika, matematika dhe informatika përveç të tjerave.

Në këtë kuadër nanoteknologjia paraqitet si një shkencë gjithëpërfshirëse duke e shtuar akoma edhe më shumë interesin në të gjithë botën ashtu edhe në Shqipëri. NanoAlb, njësia e ngritur pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në fund të vitit 2019, është një njësi virtuale e cila grumbullon rreth saj 22 grupe kërkimore shkencore që punojnë pranë universiteteve shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Për më shumë informacion shikoni: http://www.nanoalb.al/nanoalb/.

Objektivi i saj është të nxisë aktivitetet ekzistuese në ketë fushë apo edhe të nxjerrë në pah aktivitete të reja te lidhura drejtpërdrejt ose jo me nanoteknologjinë. Mbi të gjitha NanoAlb synon të nxisë edukatën e bashkëpunimit të kërkuar nga një shkencë kaq multidisiplinore, dhe nga ana tjetër është një domosdoshmëri për të pasur sukses në kërkimin shkencor dhe çdo fushë tjetër të kërkimit në Shqipëri.