×

Inteligjenca artificiale dhe automatizimi i punëve

Imagjinoni një botë ku do të të duhet të konkurosh me makineritë, për të mbijetuar ekonomikisht.

Arritjet e fundit të inteligjencës artificiale kanë marrë vëmendjen e gjithë botës, duke krijuar një përzierje emocionesh, një ndjenjë gëzimi dhe frike se si teknologjia është duke përparuar shumë.

 Koha në të cilën jetojmë sot, na ofron mundësi të jashtëzakonshme për një jetë më të mirë. E ajo që më së shumti ka ndikuar, pa dyshim që është zhvillimi i teknologjisë. Teknologjia e re, në vazhdimësi po e ndryshon jetën tonë dhe po e dërgon atë në një nivel të ri. Është mënyra e re e të menduarit dhe të bërit e gjërave normale ndryshe, më mirë, më shpejtë, me më pak dëme dhe me një ritëm shumë më praktik.

 Por, kjo është ana pozitive e ndikimit të teknologjisë. Kur flasim për anët negative, atëherë patjetër që duhet përmendur ndikimin që do të ketë teknologjia në profesionet e ndryshme.

Ekspertët parashikojnë që në dy dekadat e ardhshme mundësia për t’i zëvendësuar disa profesione të cilat sot ekzistojnë është shumë e madhe. Profesionet të cilat padyshim sot janë shumë të nevojshme, një ditë do të kalojnë në procese mekanike dhe do të kryhen nga mjete dhe teknologji të cilat do të krijohen.

Teknologjia po përpiqet të bëjë më të lehtë jetën e përditshme, dhe një nga mënyrat është zëvendësimi i disa profesioneve më robotë. Universiteti i Oksfordit ka publikuar një studim, i cili ka arritur në përfundimin se disa nga punët që bëjnë njerëzit sot do të kryhen nga robotët në të ardhmen.

Sipas studimit të Universitetit të Oksfordit në 2013,  702 profesione ishin më të rrezikuara.  

Por  cilat janë këto profesione?

Martin Ford, nga universiteti i Oksfordit, tha se punët më të rrezikuara janë: arkëtarët, taksistët apo edhe arbritrat.  Kuzhinierët që punojnë në Fast Food gjithashtu rrezikojnë deri në  81% për t’u zëvendësuar nga robotët. Shoferët e taksive rrezikojnë deri në 89% për t’u zëvendësuar nga robotët.

Cilat profesione janë më pak të rrezikuara?

Mjekët  kanë më pak gjasa të zëvendësohen nga robotët në të ardhmen, gjithashtu edhe hidraulikët, punonjësit socialë, dietologët, infermierët dhe klerikët.

 

Automatizimi i punëve dhe Covid-19

Për më mirë ose më keq, robotët do të zëvendësojnë shumë njerëz në punët e tyre dhe shpërthimi i koronavirusit po e përshpejton procesin. ”Njerëzit zakonisht thonë se duan një element njerëzor në bashkëveprimet e tyre, por Covid-19 po e ndryshon një perceptim të tillë“, shprehet Martin Ford, një autor që ka shkruar për mënyrat se si robotët do të integrohen në ekonomi në dekadat e ardhshme. “Koronavirus do të ndryshojë preferencën e konsumatorit dhe do të hapë mundësi të reja për automatizimin,” shton ai.

Kompanitë e mëdha dhe të vogla janë duke u zgjeruar këndvështrimin mbi përdorimin e robotëve për rritjen e distancimit shoqëror dhe për të zvogëluar numrin e stafit që duhet të shkojë fizikisht në punë. Robotët po përdoren gjithashtu për të kryer role që punëtorët nuk i realizojnë dot nga shtëpia.

Gjigandi amerikan “Walmart”, po përdor robotë për të pastruar dyshemetë. Robotët në Korenë e Jugut  masin temperaturën dhe shpërndajnë dezinfektantë për duart. Me ekspertët e shëndetit që paralajmërojnë se disa masa të distancimit social mund të vendosen ndoshta deri në vitin 2021, nuk është çudi që kërkesa për punën  e robotëve të shtohet.

 

Një rikthim në të kaluarën

Po marrim një shembull pak më esktrem. Besojmë se të gjithë e keni parë filmin “Back to the future”, në të cilin një gjimnazist dhe një shkencëtar udhëtojnë në kohë 30 vjet prapa. Imagjinoni sikur edhe ju të mund të udhëtoni prapa në kohë, në vitin 1750 për shembull, një kohë kur bota nuk kishte energji elektrike, komunikimi në largësi do të thoshte të bërtasësh fort apo të dërgosh një letër përmes ndonjë pëllumbi, si dhe transporti bëhej përmes kuajve. Kur të shkoni atje,  merrni një person, silleni në vitin 2021 dhe shikoni se si do të ragojë ndaj arritjeve të kohës moderne. Imagjinoni se si do të reagonte ai ndaj veturave Ferrari duke garuar nëpër autostrada, telefonave të mençur që ju lejojnë të bisedoni me anë të videos më dikë që gjendet në anën tjetër të botës, të dëgjoni një performancë muzikore që ka ndodhur para 50 vjetëve apo të fluturosh në një kontinent tjetër brenda disa orëve. Të gjitha këto, pa e përmendur realitetin virtual (VR), Stacionin Internacional Hapësinor, armët nukleare apo relativitetin. Kjo eksperiencë për të nuk do të ishte befasuese apo edhe shokuese, e ndoshta këto fjalë nuk janë të mjaftueshme.

 

Po ju si e prisni ndryshimin e teknlogjisë me ritëm kaq të shpejtë?