Veç funksionit si një hapësirë kulturore Shtëpia Kadare ka edhe faqen e saj në web https://shtepiakadare.tirana.al/, ku mes shumë shërbimeve sektori i zhvillimit u mundëson të gjithë lexuesve të kontrollojnë nëse libri që dëshirojnë ndodhet në fondin e shtëpisë muze. Ky aplikacion web u krijua nga Drejtoria e Përgjithshme së Teknologjisë, Informacionit, Inovacionit dhe të Dhënave. Në aplikacionin web pasqyrohen të gjithë titujt e Bibliotekës Kadare, së bashku me specifikimet dhe veçoritë përkatëse.
Fondi i Shtëpisë Studio Kadare përfshin shumëllojshmëri materialesh burimore. Ai kryesisht përbëhet nga mbi 1000 libra të autorit, një pjesë e të cilëve bartin dedikime, tregues të thurjes sociale të kohës, apo përkthime poezish të pabotuara ndonjëherë të Ismail Kadaresë. Gjithashtu si pjesë të tij mund të numërojmë dorëshkrime dhe daktilografime të autorit dhe të së shoqes, shkrimtares Elena Kadare, fotografi origjinale personale dhe familjare, objekte dhe sende të autorit, kopje të para të botimeve të ndryshme si dhe element të tjerë të cilët e kontenstualizojnë studjuesin në hapësirën kulturore të pasluftës.
Fondi është i aksesueshëm në mënyrë digjitale nëpërmjet Dhomës së Studimit, ku dhe po punohet për digjitalizimin dhe ngritjen e arkivit dixhital të autorit. Gjithashtu fondi do të mund të aksesohet nga të interesuar dhe në origjinal pas kryerjes së një kërkese dhe regjistrimit të nevojshëm me dokument identifikimi.