×

Elon Musk prezanton robotin humanoid Tesla: Inteligjenca artificiale do të kontrollojë njerëzimin

Kompania Tesla është duke ndërtuar një robot humanoid “vitin që vjen”, i quajtur Tesla Bot, njoftoi kompania në eventin e saj ‘AI Day’ (Dita e Inteligjencës Artificiale).

Roboti do të përdorë të njëjtën inteligjencë artificiale (IA) që kompania përdor për automjetet e saj me bateri. Ai do të jetë 173 centimetra i gjatë, do të peshojë rreth 57kg dhe do të ndërtohet me “materiale të lehta”, me ekran në trupin e tij ku do të shfaqë informacionet.

Në komentet e tij, Musk tha se roboti është krijuar “për të qenë miqësor dhe për të naviguar në botën e krijuar për qeniet njerëzore” por do të jetë ndërtuar në nivel “mekanik”, në mënyrë që “dikush të mund të largohet prej tij dhe me shumë gjasa të mund ta mundë, në rast përleshjeje”.

Faqja e internetit të Tesla thotë se qëllimet e përgjithshme të robotit janë të kryejë detyra që nga njerëzit konsiderohen “të pasigurta, të përsëritura ose të mërzitshme”, si për shembull bërja e pazarit, zhvendosje në situata të rrezikshme, apo të tjera si këto.”

Vitet e fundit Elon Musk ka përmendur vazhdimisht paralajmërimet për pasojat e zhvillimit të inteligjencës artificiale.

Në 2017, ai ka thënë se shanset që Inteligjenca Artificiale të jetë e parrezikshme për njerëzimin janë “5 deri në 10 përqind”.

Në 2020 Musk ka thënë se ka rrezik që Inteligjenca Artificiale të marrë kontrollin e njerëzimit para vitit 2025.

“Unë besoj se Inteligjenca Artificiale nuk merret seriozisht nga njerëzit inteligjentë sepse ata nuk e besojnë se një kompjuter mund të bëhet më inteligjent se ata. Ky është një vetëbesim i ekzagjeruar dhe sigurisht i rremë”, ka thënë Musk.

“Ne po shkojmë drejt një situate ku inteligjenca artificiale bëhet shumë më inteligjente se njerëzit, dhe kuadri kohor besoj se është diku te pesë vjet nga tani. Por kjo nuk do të thotë se çdo gjë do të shkojë në ferr për pesë vjet. Do të thotë se vetëm do të bëhet më e pasigurtë ose e çuditshme”.