×

e-Residence

Imagjinoni të mund të hapni një kompani nga kudo në botë dhe të bëni biznes si një qytetar europian, duke përfituar nga infrastruktura digjitale më e përparuar që çdo vend ofron. Pikërisht këtë gjë u ka lejuar Estonia sipërmarrësve për gati gjashtë vjet. Quhet e-Residence dhe pasi sipërmarrësit aplikonin dhe aprovoheshin, gjithçka që duhet të bënin ishte të kalonin pranë konsullatës ose ambasadës Estoneze për të marrë letërnjoftimin e tyre të koduar dhe çdo gjë ishte gati.
Në mars, pandemia goditi dhe gjithçka u mbyll. Ama kjo vetëm sa e shtyu programin të ishte më inovativ.


Institucionet shtetërore Estoneze u bashkuan për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja e parë të cilën ata arritën t’u jepnin e-banorëve ishte gjashtë muaj shtesë për të mbledhur dokumentat e tyre. Një ide tjetër ishte që të krijoheshin më shumë pika marrjeje për kartat digjitale të identitetit në qytete ku ka konsullata dhe ambasada estoneze. Programi shpreson ta arrijë pikërisht këtë qëllim së shpejti.
Megjithatë, një tjetër synim është edhe më ambicioz: të krijohet një skemë e-Residence e tillë që nuk mbështetet aspak në kartat e identitetit. Kjo është tashmë në punë, megjithëse mund të duhen vite.

Estonia njihet si vend me rrjet të gjerë shërbimesh digjitale: votë elektronike, mbushja e recetave për ilaçe përmes internetit dhe lehtësira të tjera.
Shtetasit e huaj që klasifikohen si “endacakë digjitalë” konsiderohen si “qytetarë të hapësirës digjitale” dhe mund të aplikojnë për vizë përmes internetit. Mbi 70,000 vetë nga 170 vende kanë marrë statusin e “qytetarit të hapësirës digjitale” në Estoni gjë që u jep mundësi të shfrytëzojnë kapacitetet digjitale në këtë vend, megjithëse kjo nuk nënkupton status të rregullt rezidence.
Estonia zhvilloi programin e saj të e-Rezidencës në Dhjetor 2014 me një mision të qartë: të fuqizojë pavarësinë e vendndodhjes se sipërmarrësve të pavarur në të gjithë botën dhe të nënvizojë rolin e Estonisë si një komb i nismëtarëve digjitalë, duke sjellë infrastrukturën e saj të teknologjisë së lartë për masat. Fillimisht, programi ishte menduar si një mënyrë për t’i bërë shërbimet elektronike të krijuara për qytetarët estonezë, në dispozicion të investitorëve, menaxherëve dhe sipërmarrësve të huaj me qendër në Estoni.

Burimi : e-estonia