Digital Pierrot Museum është një muze digjital falas që paraqet përvojën e lundrimit nëpër një muze të artit digjital, multimedial përmes një mjedisi virtual. Ky projekt është krijuar për t’i dhënë audiencës një aventurë të drejtpërdrejtë të gjithë eksperiencës së muzeut.

Ndërtimi i një #smart city nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me shtimin e pajisjeve të reja, por edhe me integrimin e ideve dhe strategjive të zgjuara në planifikimin e qytetit.

Për këtë arsye të rinjtë kanë një rol thelbësor në ndërtimin e Tiranës së të ardhmes!

Bashkë me vajza dhe djem entuziastë u zhvilluam një takim në Shtëpi Studio Kadare.  Drejtuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Teknologjisë së Informacionit, Inovacionit dhe të Dhënave z. Puka, foli mbi “Smart Cities” dhe hapat e ndërmarrë nga Bashkia Tiranë për të përqafuar inovacionin në të gjithë fushat e jetës.

Pjesëmarrësit e “Muze në Muze” ndoqën prezantimin dhe demostrimin e “Digital Pierrot Museum”, ku të rinjtë vizituan muzeun digjital përmes paisjeve të realitetit virtual.

Ky muze promovon artin digjital, artin bashkëkohor dhe përvojat virtuale. Planimetria dhe arkitektura e muzeut janë krijuar në mënyrë që audienca të mund të zhytet plotësisht në përvojën, të humbasë dhe të ndërveprojë. Gjithashtu ky muze është një hapësirë e hapur virtuale në të cilën artistët multimedialë mund t’i bashkohen vizionit për ta bërë artin të aksesueshëm.

Qëllimi është të promovojnë artin, teknologjinë dhe multimedian dhe të ofrojnë një hapësirë të hapur për të integruar dhe inkorporuar këto mediume në përvojën virtuale të muzeut.