×

Cities Coalition for Digital Rights

Bashkia Tiranë, prej disa vitesh tashmë është pjesë e Cities Coalation for Digital Rights. Ky program mbledh mbi 50 bashki të botës bashkë për një qëllim të vetëm: Promovimin e të Drejtave Digjitale! Për këtë arsye stafi i Inovacionit bashkë me përfaqësues të studentëve shqiptarë, morën pjesë në datat 17-18-19 Mars në workshopin e përbashkët me qytetet e Barcelonës, Bordosë, Milanos, Amsterdamit dhe Portos, ku ndanë idetë e tyre për Tiranën Inovative.

Të drejtat digjitale janë të drejtat e njeriut por në epokën e internetit. Kjo nënkupton jo vetëm mbrojtjen e të drejtave tuaja në hapësirën e internetit por edhe të të dhënave dhe privatësisë tuaj.

Citizens Voice For Digital Rights dëshiron të ndihmojë njerëzit në të gjithë Europën të kenë një fjalë në formimin e të drejtave të tyre digjitale dhe vendimet që do ndikojnë në jetën e tyre, si do të vendosen në të ardhmen dhe çfarë mendojnë se duhet të bëhen për ti mbrojtur njerëzit pasi kompanitë private të teknologjisë janë gjithmonë e cdo ditë më tepër të pranishme në jetën tonë.

Përkatësisht në datë 17 Mars u zhvillua workshop-i i MozFest për “Digital Rights Helpdesk”.  Të rinj dhe ekspertë  të fushës nga qytete si : Tirana, Amsterdami, Barcelona, Milano dhe Porto shkëmbyen mendimet, idetë dhe projektet e tyre. Ekipi i Tiranës foli për projektin e tyre BiblioTech e-courses të cilat janë kurse online për të gjithë laboratorët teknologjikë që zhvillohen në BiblioTech-at e Tiranës.

Të enjten në datën 18 Mars u zhvillua workshop-i i “Koalicionit të Qyteteve për të Drejtat Digjitale”.
Ky grup të rinjsh dhe eskpertësh nga fusha të ndryshme nga e gjithë bota ka për qëllim një diskutim të  hapur mbi idetë, mundësitë, kufizimet dhe shqetësimet e tyre rreth të drejtave digjitale. Fusha e të drejtave digjitale është ende një fushë e panjohur ku askush nuk ka një përgjigje ekzakte për të gjitha pyetjet që mund të bëhen. Ky workshop shqyrtoi rolin e teknologjive digjitale në ofrimin e qëndrueshëm dhe të sigurisë për qytete të cilat po përballen me një zhvillim të shpejtë teknologjik.

Eventi 3 ditor për të drejtat digjitale u përmbyll të premten më 19 Mars ku  të rinj dhe ekspertë nga Milano, Bordo, Amsterdami dhe Tirana u mblodhën së bashku për të diskutuar se si njerëzit në të gjithë Europën mund të punojnë së bashku për të Drejtat e tyre Digjitale.

Ky event u përqëndrua në aspektet europiane të të drejtave digjitale. Prioritet ishin mundësitë dhe sfidat që prekin njerëzit në të gjithë Europën dhe sesi ne mund t’i trajtojmë ato së bashku duke ecur përpara.

Nëse dëshironi të jeni pjesë e këtyre workshopeve apo keni një ide për të drejtat digjitale, ju lutem na shkruani në inovacioni@tirana.al.